Kosovë – Serbi, koha për zgjedhje ka ardhur

Loading...

Shkruan: Alketa Gashi Fazliu

Trenat po i ndezin motorët:

Amerika dëshiron të sigurohet që ata nuk janë në kurs përplasjeje.

Treni i Kosovës po del nga stacioni. Me qeverinë e sapokrijuar, Kosova më në fund vendosi një lokomotivë të re në shinat e vjetra dhe të ndryshkura. Kësaj lokomotive i duhet të tërheqë ngarkesën e saj të çmuar me 2 milion banorë në një trase të mbajtur keq, në një rrugë plot rreziqe gjeopolitike, me kthesa të forta dhe binarë fort të dëmtuar nga mungesa kronike e investimeve.

Kjo është hekurudha që na dërgon në Evropë. Për Kosovën ky është drejtimi i vetëm.

Treni tjetër -Serbia- ecën përpara me parametra të ndryshëm. Karrocat e saj janë më të forta, motori është më i madh, hekurudha më moderne. Ajo është në disa mënyra – jo vetëm gjeografikisht – më afër cakut. Ndryshe nga Kosova, Serbia ka një zgjedhje. Ajo mund të ndërtojë një autostradë më të shpejtë për Evropë, ndërsa ruan për siguri një linjë rezervë që çon në Lindje. Qasja e dyfishtë (ose e trefishtë) e Serbisë duket se po i jep rezultatet që ajo kërkon. Të gjithë duket se duan të jenë aty. Investimet janë të pranishme, kontratat janë nënshkruar, fondet nuk duken se mungojnë.

Treni i Kosovës dhe ai i Serbisë nuk do kthehen kurrë më në rrënojat e stacioneve jugosllave që lanë pas. Njëri tren është më i madh, por jo domosdoshmërisht më i mirë. Tjetri është më i vogël, por jo domosdoshmërisht më i keq. Për asnjërin nuk ka kthim mbrapa. Por drejtuesit e tyre duket se i kanë disa probleme: disa në Kosovë thonë se Kosova assesi nuk bëhet pa kërkuar ndjesë Serbia. Ata të Serbisë dhe opinioni i saj publik thonë: “Le ta shtypim Kosovën (përsëri!), Kjo është ajo për të cilën jemi krijuar, kjo është ajo që më së paku mund të bëjmë”.

Nëse ata që drejtojnë flasin kështu, përplasja duket e pashmangshme.
Për ta shmangur përplasjen, gjërat duhet të ndryshojnë shumë shpejt.

Roli i BE-së

Në ditën e fundit të janarit, shefi i politikës së jashtme të BE-së Borrell ishte në Beograd për të diskutuar për normalizimin e politikës së jashtme me Kosovën. Ai tregoi mbështetjen financiare që BE i jep Serbisë: 2.5 miliardë euro të dhëna Serbisë, gjatë dekadës së fundit.

Borreli i tha Vuçiçit: “negociatat e pranimit të Serbisë mund të vazhdojnë më shpejt”. Sigurisht që munden. Ofertat nuk i mungojnë atij vendi që e di se e ka një zgjedhje. Ose dy. Ose më shumë. Për Serbinë nuk është vetëm Rusia. Jo vetëm Rusia dhe Turqia. Duke folur globalisht, Kina është gjithashtu në prag të derës. Nga mesi i këtij muaji, shefi i politikës së jashtme të BE-së Borrel informoi Serbinë se një i dërguar i Posaçëm i BE-së për procesin Kosovë-Serbi do të emërohet pasi ai nuk ka kohën e mjaftueshme për t’u angazhuar për këtë, edhe pse ai personalisht do të ndihmojë. I dërguari i ri i BE së shpejti do të kontrollojë shëndetin e motorëve dhe kredencialet e drejtuesve të rinj të trenit të Kosovës, për të siguruar që Kosova dhe Serbia të mos përplasen në atë rrugë të vetme që çon Kosovën në Evropë. Fillimisht, një këshilltar i politikës së jashtme shumë i respektuar dhe i aftë dhe ambasadori i Gjermanisë në KB i afërt me kancelaren Merkel u përfol se do të plotësonte atë pozicion. Ai u tërhoq në minutën e fundit.

Die Schadenfreude – “gëzimi dashakeq”

Me sa duket, një përplasje e mundshme në linjën Kosovë-Serbi është ende në menunë e ditës.

Kjo shtron pyetjen: nëse do ketë konflikt, atëherë kush përfiton prej tij? Përgjigja e parë – është e ndërlikuar. Mjaft akterë, përfshirë politikanë të së tashmes dhe të së kaluarës, gazetarë të paguar që të veprojnë që nga Evropa si “talking heads” dhe lider të opinionit të këtushëm e të atjeshëm, akterë jo-shtetërorë me prerogativa thuajse mbretërore, të mbështetur nga organizata joqeveritare e diplomatë që veprojnë në sfond, larg vëmendjes së syrit të publikut dhe nga kontrolli i taksapaguesve të Sh.B.A dhe evropian, vazhdojnë të kërkojnë shtyerjen deri në pafundësi të zgjidhje të konfliktit shumëvjeçar Kosovë-Serbi. Ky i tyri nuk është veç një gabim. Është krim. Ata që shtiren si të gjithëditur, vazhdojnë përfitojnë tani, ashtu si në vitet e kaluara – financiarisht dhe politikisht – nga kjo.

Një pjesë e mirë e atyre që nuk e duan zgjidhjen – e këta janë shqiptarë e serbë, të huaj dhe bashkëpunëtorë të tyre vendor – ushqehen me konflikte vetëm pasi bëjnë para duke mos i zgjidhur. Për ta, kërcënimi i pafund i një konflikti Kosovë-Serbi është skenari më i mirë i mundshëm. Për ta, përpjekja e udhëhequr nga Presidenti Trump për t’i ulur Kosovën dhe Serbinë në tryezën që zgjidhin përfundimisht konfliktin e tyre me kushte të përcaktuara, përfundimtare, historike është më e rrezikshme se vetë lufta. Përgjigja e tyre për mundësinë e kompletimit të procesit të paqes jepet nga një mori përfaqësuesish të tyre. Ata paraqesin argumente të ndryshme, por pajtohen në një pikë qendrore – një zgjidhje përfundimtare Kosovë-Serbi për momentin nuk është e mundur.

Është e pamundur dhe e rrezikshme.

Janë qindra e mijëra gjëra që duhet të bëhen së pari përpara se Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje të qëndrueshme me njëra-tjetrën. Për shembull: Serbia së pari duhet të kërkojë falje. Ose: Kosova së pari duhet të luftojë korrupsionin. Harrojini zgjidhjet. Qëndrojmë te problemet.

Shtëpia e Bardhë është krejtësisht e vetëdijshme për këtë. Ajo i njeh personat që e bëjnë këtë. Ajo gjithashtu ka qëndrim të qartë për këtë: Kushdo që i bëhet pengesë zgjidhjes së konfliktit Kosovë-Serbi SHKEL interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kush po punon për një konflikt të ri?

Nëse nuk ka marrëveshje paqeje, a do të ketë një konflikt? Një gjë është e sigurt: ata që do të përfitonin nga një aksident hekurudhor apo nga probleme teknike në linjën Ballkan-Evropë nuk e fshehin gëzimin e tyre duke parë shanset që rriten.

Armiqtë e Kosovës, po aq sa kritikët e zakonshëm të Amerikës, preferojnë të shohin kaos në politikën e jashtme amerikane, kohë të pasigurta për Ballkanin, jashtë çdo rendi legjitim ndërkombëtar. Rreziku i madh, shprehen ata, është një SHBA nën udhëheqjen e Trump. Pasi Trump nuk është Amerika. Po çfarë thonë ata në lidhje me Kosovën dhe Serbinë, nëse ato veprojnë si dy shtete të pavarura, sovrane, të afta të bien dakord përfundimisht për një zgjidhje përfundimtare, nëse Evropa dhe SH.B.A. janë dakord? Në asnjë mënyrë. Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë. Asnjëherë nuk do të lejohet.

Epo, shanset janë, kjo është pikërisht ajo që do të ndodhë.
Kjo është e vetmja gjë që mund dhe duhet të ndodhë.

Pyetja është kur.

Furia anti-Trump

Shumë prej mendjeve të ndritura që duan ti caktojnë rrugën trenit të Kosovës sot, ankohen se referendumi i Brexit dhe zgjedhja e Donald Trump si President i Amerikës paska shënuar fundin e projektit të lavdishëm Euro-Atlantik për Kosovën. Për ta, gjërat nuk do të bëhen kurrë më rozë siç kanë qenë më parë.

Kanë të drejtë – për ta kjo situatë është shumë problem.

Çështja është – pse problemi i tyre duhet të jetë problem.

The post Kosovë – Serbi, koha për zgjedhje ka ardhur appeared first on Korrespodenti.

Loading...
Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *