ShBA blejnë gati të gjitha rezervat botërore të ilaçit që po jep efekt pozitiv në luftimin kundër Covid-19

Zyrtarët amerikanë i kanë blerë të gjitha rezervat e ilaçit Remdesivir për muajin korrik dhe 90 për qind të rezervave për muajt gusht dhe shtator. Remdesiviri është njëri nga dy ilaçet që po përdoret për trajtimin e koronavirusit.

Fillimisht, kjo substancë ishte prodhuar për trajtimin e Ebolës. Remdesiviri prodhohet gati ekskluzivisht nga gjiganti farmaceutik amerilkan, “Gilead Sciences”, dhe shitet për 2,340 dollarë për pacient në shtetet që janë më të pasura.

Kompania që e prodhon Remdesivirin është pajtuar që t’i shpërndajë pothuajse të gjitha rezervat e tij në Shtetet e Bashkuara gjatë tre muajve të ardhshëm, shkruan “Sky News”, transmeton Gazeta Express.

Dr. Andrew Hill, hulumtues në Universitetin e Liverpulit, tha se kjo nënkupton që Remdesiviri nuk do të jetë i qasshëm për pacientët në Evropë deri në tetor. “Kjo marrëveshje e bërë nga Amerika nënkupton që njerëzit me Covid-19 në Britani nuk mund të kenë qasje në këto trajtime që do t’i nxirrnin shpejt nga spitali dhe që mund t’ua përmirësojnë gjasat për mbijetesë”, tha ai.

Ai shtoi se shtetet me të ardhura të mesme dhe të ulëta mund të prodhojnë versione të kësaj substance, por nuk do të mund t’i shesin ato në Evropë, sepse kompania “Gilead” e ka patentën për këtë gjë.

Në bazë të testimeve te pacientët me koronavirus, Remdesiviri është dëshmuar se e shkurton kohën e përjetimit të simptomave të virusit nga 15 në 11 ditë përmes parandalimit të riprodhimit të tij.

The post ShBA blejnë gati të gjitha rezervat botërore të ilaçit që po jep efekt pozitiv në luftimin kundër Covid-19 appeared first on Korrespodenti.

admin: